29/05/2026
Aeroporti i Vlorës: Behgjet Pacolli fiton gjyqin në Gjykatën e Lartë
Kompania Mabco, e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, ka fituar gjyqin në Gjykatën e Lartë për çështjen e Aeroportit të Vlorës.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka vendosur të rrëzojë padinë e paraqitur nga shoqëria “2A Group”, e drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi. Me këtë vendim, kompania Mabco forcon të drejtat e saj mbi projektin e Aeroportit të Vlorës.
Më herët, dy gjykatat e shkallëve më të ulëta i kishin dhënë të drejtë kompanisë 2A Group lidhur me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër, Mabco, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Përplasja mes dy ortakëve nisi në dhjetor të vitit të kaluar dhe lidhet me çështjen e aksioneve dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës. Ndërkohë, biznesmeni Valon Ademi ka paraqitur edhe një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me këtë çështje.