ER Places & Recipes

ER Places & Recipes Welcome to ER Places & Recipes!🌿
I'm here to share my recipes in 🇦🇱🇲🇰🇺🇸, favorite restaurants and cozy coffee shops.

Follow for mouth-watering restaurant reviews, delightful coffee shop finds, and step-by-step recipes. 💕

18/07/2026

🍋 Ëmbëlsirë Verore me Limon (Puding me Limon)

Një ëmbëlsirë e lehtë, kremoze dhe me aromë të freskët limoni. Perfekte për çdo rast! 💛

Përbërësit për përzierjen me vezë:

* 2 vezë
* 1 pako puding vanilje
* 1 gotë sheqer
* Lëngu i 2 limonave
* 1 pako sheqer vanilje

Përbërësit për kremin:

* 4 gota qumësht
* 1 kuti ajkë e lëngshme 500 ml
* Lëkura e grirë e 2 limonave

Përgatitja:

🥣 Në një enë rrihni mirë vezët. Shtoni pudingun, sheqerin, lëngun e limonit dhe sheqerin vanilje, më pas përziejini derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme.

🥛 Në një tenxhere hidhni qumështin, ajkën e lëngshme dhe lëkurën e grirë të limonit. Ngrohini në zjarr mesatar pa i lënë të vlojnë. (Mos e vlo)

✨ Kur të shfaqen flluskat e para rreth skajeve të tenxheres, shtoni ngadalë përzierjen me vezë duke e përzier vazhdimisht me tel kuzhine.

🍋 Pasi kremi të arrijë valën, vazhdoni gatimin edhe 2–3 minuta duke e përzier vazhdimisht, derisa të trashet dhe të marrë një teksturë të butë e kremoze.

Hidheni kremin në tasa servirjeje, lëreni të ftohet në temperaturë ambienti dhe më pas vendoseni në frigorifer për disa orë.

Nga kjo masë dalin 10 gota.

Nëse e provoni ju bëftë mirë🍋

16/07/2026

🍓 TORTË ME FRUTA MALI PA VAJ 😍🫐🍰

Përbërësit

Për pandispanjën:

* 4 vezë (në temperaturë dhome)
* 1 gotë sheqer (250 gr)
* 1 gotë miell (250 gr)
* 1 pako pluhur për pjekje
* 1 lugë e mesme ekstrakt vaniljeje ose 1 vanilje pluhur

Për kremin:

* 2 puding vanilje
* 150 gr sheqer (ose sipas shijes)
* 4 gota qumësht
* 2 lugë niseshte
* 1 gotë krem pana (hopla)

Për shtresën me fruta:

* 250 gr fruta mali të ngrira (mjedra, manafera, aronia)
* 3 lugë sheqer
* 1 lugë e mesme niseshte, e tretur me pak ujë



Përgatitja

1. Pandispanja
Rrihni vezët me sheqerin për rreth 5 minuta, derisa masa të bëhet e fryrë dhe e lehtë. Shtoni miellin, pluhurin për pjekje dhe vaniljen, më pas përziejini lehtë derisa të bashkohen.

Hidheni masën në një tepsi të lyer me pak vaj dhe piqeni në furrë të parangrohur në 250°C, derisa pandispanja të marrë ngjyrë të artë dhe të jetë pjekur. Lëreni të ftohet plotësisht.

2. Kremi
Përzieni pudingun, sheqerin dhe niseshten. Shtoni pak nga qumështi i ftohtë derisa të krijohet një masë pa kokrriza.

Pjesën tjetër të qumështit vendoseni në zjarr. Kur të fillojë të vlojë, shtoni përzierjen duke e trazuar vazhdimisht derisa kremi të trashet. Mbulojeni me letër plastike në kontakt me sipërfaqen dhe lëreni të ftohet.

Kur të jetë ftohur, rrihni kremin pana veçmas dhe bashkojeni me kremin duke e miksuar edhe për rreth 1 minutë.

3. Frutat
Vendosni frutat e ngrira në një tenxhere së bashku me sheqerin dhe ziejini për pak minuta. Shtoni niseshten e tretur në ujë dhe vazhdoni përzierjen derisa masa të trashet lehtë. Lëreni të ftohet.

4. Montimi
Shtroni kremin mbi pandispanjë, më pas shtoni shtresën e frutave. Vendoseni tortën në frigorifer për të paktën 2 orë, ose edhe më mirë gjatë gjithë natës.

❤️ Ju bëftë mirë!

13/07/2026

melty.mk 📍

Melty, Shkup-Skopje📍

Nëse jeni nga ata që gjithmonë pëlqejnë të zbuloni vende të reja, atëherë këtë vend duhet ta ruani. Mbrapa ndërtesave të Cevahir Holding në Aerodrom ndodhet Melty, një ambient i këndshëm ku mund të shijoni si ushqime të kripura, ashtu edhe ëmbëlsira të përgatitura me shumë kujdes.

Një nga gjërat që më pëlqeu më shumë ishte Haçapuri, specialiteti tradicional gjeorgjian me kaçkavall dhe vezë, me një shije vërtet fantastike. Provova gjithashtu pallaqinkat me shumë djathë, chicken rolls dhe rolls me perime, të gjitha të përgatitura në mënyrë perfekte, me përbërës të freskët dhe shije që të mbetet gjatë.

Në Melty do të gjeni cheesecake me shije të ndryshme, si luleshtrydhe, lime dhe portokall, tortë Napoleon, brownies të ndryshme, tortë me çokollatë dhe shumë ëmbëlsira të tjera, të cilat jo vetëm duken mahnitëse, por janë të përgatitura me shumë dashuri dhe kujdes deri në detajin më të vogël.

Për ditëlindje, baby shower, dasma dhe evente të tjera të veçanta, përgatisin edhe pralina me 100% çokollatë belge, të personalizuara me dizajne unike dhe të vendosura në kuti elegante, duke i bërë perfekte edhe si dhuratë.

Në Melty mund të shijoni edhe një kafe, çaj ose lëngje të freskëta të shtrydhura. Nëse ende nuk e keni vizituar Melty, besoj se ia vlen ta shtoni në listën e vendeve që duhet t’i provoni. ✨

01/07/2026

Recetë e Shpejtë për Drekë- Patëllxhanë Kremozë me Qofte dhe Kackavall 🧀😋

Përbërësit:

Për kremin me patëllxhan:

* 3–4 patëllxhanë të pjekur
* 1 lugë gjelle gjalpë
* 1 lugë gjelle miell
* 1 filxhan qumësht
* 1 gotë kackavall i grirë
* 1 lugë çaji kripë
* 1 lugë çaji piper i zi

Për qoftet:

* 500 gr mish i grirë
* 1 qepë mesatare, e grirë
* 1 lugë gjelle e mbushur mirë thërrime buke
* 1 vezë
* Kripë
* Piper i zi
* Piper i kuq

Për skuqje:

* Vaj

Për sipër:

* Shumë kackavall i grirë ose mocarela

Përgatitja

1. Përgatitja e qofteve

Në një enë bashkoni mishin e grirë, qepën, thërrimet e bukës, vezën dhe erëzat. Përziejini mirë derisa të krijohet një masë homogjene. Lëreni në frigorifer për rreth 30 minuta që të marrë shije dhe të lidhet më mirë.

Formoni qofte pak më të vogla dhe skuqini në vaj të nxehur derisa të marrin ngjyrë të artë nga të gjitha anët. Vendosini mbi letër kuzhine për të larguar vajin e tepërt.

2. Përgatitja e kremit me patëllxhan

Piqni patëllxhanët, qërojini dhe pritini imët.

Në një tigan shkrini gjalpin, shtoni miellin dhe kaurdiseni për 1–2 minuta, derisa të lëshojë aromë. Shtoni patëllxhanët dhe përziejini duke i shtypur vazhdimisht. Hidhni qumështin, kripën dhe piperin e zi, duke vazhduar përzierjen derisa masa të bëhet kremoze.

Në fund shtoni kackavallin e grirë dhe përziejeni derisa të shkrihet plotësisht.

3. Montimi

Shtroni kremin e patëllxhanit në një tavë. Sipër vendosni qoftet e skuqura dhe mbulojini me një shtresë të bollshme kackavalli të grirë ose mocarela.

Piqeni në furrë të parangrohur në 250°C për rreth 15 minuta, ose derisa djathi të shkrihet plotësisht dhe të marrë një ngjyrë të bukur të artë.

Një recetë fantastike me pure kremoze patëllxhani, qofte të lëngshme dhe një shtresë të bollshme kackavalli të gratinuar që shkrihet në gojë. Ideale për një drekë ose darkë familjare!

✨ Shërbejeni të ngrohtë, me bukë të freskët ose një sallatë të lehtë. Ju bëftë mirë!

24/06/2026

📍Sofra Grill, Shkup-Skopje📍
Sofra Grill

Si ka mundësi që në Çair të gjesh një mëngjes kaq të pasur për vetëm 220 denarë?

Sofra Grill është një nga ato vende që të surprizon që në vizitën e parë. Jo vetëm me shijen, por edhe me çmimet që sot rrallë i gjen.

Për vetëm 220 denarë provova llokuma super të buta, të servuara me ajvar, djathë, reçel, ullinj dhe çaj turk. Ishte një mëngjes i thjeshtë, por shumë i shijshëm dhe tamam si ato sofrat tradicionale që të japin energji për ta nisur ditën.

Provova edhe omletën me djathë, e cila kushton vetëm 150 denarë dhe ishte vërtet shumë e mirë. Ndërsa çorbat, ajo me mercimek dhe ajo me pulë, më pëlqyen shumë dhe patjetër ia vlen t’i provoni.

Ajo që më pëlqen te Sofra Grill është se nuk është vend vetëm për mëngjes. Këtu mund të vini edhe për drekë apo darkë. Nëse vini, mos e humbni Adana Kebabin, një nga pjatat e mia të preferuara këtu. Përveç që është shumë i shijshëm, serviret edhe shumë bukur. Shish kebabi me pulë dhe qebapat me kajmak janë gjithashtu fantastikë, ndërsa në menu do të gjeni edhe pide, lahmacun, pica dhe shumë specialitete të tjera.

Gjithçka përgatitet e freskët dhe kjo ndihet që në kafshatën e parë. Për fund, provoni edhe bakllavanë ose sutllashin, dy ëmbëlsira tradicionale që e plotësojnë perfekt gjithë përvojën.

Por ajo që të bën të rikthehesh nuk është vetëm ushqimi. Është atmosfera e ngrohtë, ambienti familjar dhe mikpritja që ndjen sapo futesh brenda. Kur kësaj i shton edhe çmimet shumë të volitshme, e kupton pse Sofra Grill është një vend që ia vlen ta vizitosh.

22/06/2026

Restaurant Malsa, Skopje📍

Malsa Restaurant

Nuk do ta besoni që vetëm pak minuta larg qytetit ekziston një vend kaq i qetë… 🌿

Në Radishan, rrugës për Luboten, ndodhet Restorant Malsa – një vend perfekt për t’u larguar nga zhurma e përditshme dhe për të shijuar momente relaksi me familjen apo miqtë.

Pata kënaqësinë të provoj mëngjesin e tyre dhe mund të them se më la përshtypje që në shikim të parë. Prezantimi ishte i mrekullueshëm. Mëngjesi servohet me çaj tradicional turk dhe shoqërohet me ajvar, djathë, ullinj, domate të freskëta, reçel, proshutë, vezë të ziera dhe shumë shije të tjera që e bëjnë çdo kafshatë të veçantë.

Por ajo që e bën Malsën ndryshe nuk është vetëm ushqimi, por edhe ambienti i qetë, gjelbërimi dhe ajri i pastër, të cilët krijojnë atmosferën ideale.

Një nga gjërat që më pëlqeu ishte edhe këndi i madh për fëmijë. Derisa prindërit shijojnë ushqimin, të vegjlit mund të argëtohen në hapësirën e dedikuar me lodra dhe aktivitete.

Malsa është gjithashtu vendi ideal për organizimin e ditëlindjeve për fëmijë, festave familjare dhe eventeve të ndryshme në një ambient të bukur natyror.

Dhe nëse nuk vini për mëngjes, këtu mund të shijoni edhe shumë specialitete për drekë dhe darkë, ose thjesht të kaloni një pasdite të këndshme duke shijuar koktejet e tyre freskuese në mes të natyrës.

Nëse po kërkoni një vend ku shija, qetësia dhe natyra bashkohen në një eksperiencë të vetme, atëherë Restoranti Malsa në Radishan duhet të jetë ndalesa juaj e radhës. ✨🌿

Ruajeni këtë video dhe vizitojeni në mundësinë tuaj të parë. ❤️

18/06/2026

Délice, Old Bazaae, Skopje📍
Dèlice (Delis) 🌸

Në zemër të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, Délice është një vend që të rrëmben që në momentin e parë me atmosferën elegante dhe ambientin e ngrohtë, që të bën të ndihesh sikur je në një pastiçeri të vogël franceze. 🌸☕

Këtu mund t’i gjeni disa nga ëmbëlsirat më të mira në Çarshinë e Vjetër. Ndër krijimet më të veçanta është padyshim Ispahan – një ëmbëlsirë me prezantim unik dhe shije jashtëzakonisht të freskët, perfekte për ditët e verës. Kombinimi i trëndafilit, mjedrës dhe lychee krijon një harmoni shijesh që e bën çdo kafshatë të veçantë. 🌹🍓

Një tjetër specialitet është San Sebastian Cheesecake, i shoqëruar me çokollatë 100%, i cili pa dyshim renditet ndër më të mirët që kam provuar. Pa e harruar edhe Lotus Cheesecake, që ka një shije tepër të mirë. 🍰

Përtej ëmbëlsirave, Délice ofron edhe një përvojë të plotë me kafe dhe çaj cilësor, në një ambient që të fton të relaksohesh dhe të shijosh momentin. ☕✨

Nëse jeni në kërkim të një vendi me atmosferë të veçantë, ëmbëlsira të jashtëzakonshme dhe një përvojë që ia vlen të përsëritet, Délice është një adresë që duhet ta vizitoni patjetër. 💐✨

12/06/2026

Magnolia me Qershi🍒

Një ëmbëlsirë e lehtë, kremoze dhe plot shije, e kombinuar me freskinë e qershijave. Perfekte për ditët e verës, për mysafirë apo thjesht kur dëshironi diçka të ëmbël dhe elegante.

Përbërësit

Për kremin

* 1 litër qumësht
* 1 gotë sheqer
* 3 lugë gjelle miell
* 2 lugë gjelle niseshte
* 1 pako vanilje
* 1 qese krem pana pluhur
* 100 ml pana e ëmbël

Për reçelin e qershisë

* 350 g qershi
* 2 lugë gjelle sheqer
* 1 lugë gjelle sheqer pluhur
* 1 gotë ujë

Për trashjen e reçelit:

* 1 lugë gjelle niseshte
* 1 gotë ujë

Për bazën

* Biskota të bluara

Përgatitja

1. Përgatitja e kremit

Në një tenxhere shtoni qumështin, sheqerin, miellin, niseshten dhe vaniljen. Përziejini mirë dhe ziejini në temperaturë mesatare duke i trazuar vazhdimisht derisa masa të trashet dhe të marrë konsistencën e pudingut.

Lëreni kremin të ftohet për rreth 15 minuta në temperaturë dhome. Më pas shtoni kremin pana pluhur dhe përziejeni me mikser. Shtoni edhe panën e ëmbël dhe vazhdoni rrahjen derisa të përftoni një krem të butë dhe homogjen.

2. Përgatitja e reçelit të qershijave

Në një tigan vendosni qersh*të, 2 lugët e sheqerit, 1 lugë sheqer pluhur dhe 1 gotë ujë. Ziejini në temperaturë mesatare derisa qersh*të të zbuten dhe të krijohet një salcë e pasur me aromë.

Në një enë të veçantë përzieni 1 lugë gjelle niseshte me 1 gotë ujë të ftohtë derisa të tretet plotësisht. Shtojeni këtë përzierje te qersh*të dhe vazhdoni zierjen për disa minuta, derisa reçeli të trashet. Lëreni të ftohet pak.

3. Montimi i ëmbëlsirës

Në gotat e servirjes vendosni një shtresë me biskota të bluara dhe shtypini lehtë me fundin e një gote që të formohet baza.

Shtoni sipër kremin e përgatitur. Gotat lërini në temperaturë dhome për rreth 30 minuta. Gjatë kësaj kohe përgatitni reçelin e qershijave.

Pasi reçeli të jetë gati dhe të jetë ftohur pak, vendoseni sipër kremit. Shërbejeni të ftohtë dhe dekorojeni sipas dëshirës.

✨ Ju bëftë mirë!

09/06/2026

📍.bakery 🥨🥐🍪Shkup-Skopje📍

Brūme, Skopje📍

A ka diçka më të mirë se aroma e bukës së freskët që sapo ka dalë furra? Nëse edhe ju i pëlqeni brumërave si unë, atëherë duhet ta vizitoni patjetër Brũme, në Çair.

Këtu gjithçka përgatitet vazhdimisht gjatë ditës, që do të thotë se çdo produkt që provoni është i freskët dhe plot shije. Përveç specialiteteve të shumta, në Brũme përgatiten edhe lloje të ndryshme buke, nga ato klasike deri te bukët dietale dhe ato me fara.

Qoftë për mëngjes apo për një pauzë të shkurtër gjatë ditës, mund të shijoni sanduiçe të ftohta, simite të freskëta, gjevrekë krokantë, burek të ngrohtë dhe shumë produkte të tjera që dalin vazhdimisht nga furra.

E për ata që e duan diçka të ëmbël, mos i humbisni Dubai kroasanin, cookies-at, gurabijat, trileçen dhe ëmbëlsirat me fëstëk, si dhe shumë të tjera.

Mund të uleni në ambientin e tyre të këndshëm dhe të shijoni një gjevrek apo simite të ngrohtë me një çaj.

Brũme – vendi ku aroma të fton të hysh, ndërsa shija të bën të rikthehesh.

Address

Pristina

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when ER Places & Recipes posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Share